Portofoli

Këtu po jap përshkrimin e shkurtër të 6 librave të përkthyer.
Do të gjeni edhe disa kapituj që mund t'i shkarkoni falas.
__________________
__________________

PARATHËNIE

Gjatë karrierës sime, kam përkthyer 13 libra dhe kam hartuar një fjalor.
(Biblioteka Kombëtare, 3 libra, [kërkoni me emrin tim]: https://www.bksh.al/uploads/_/originals/882c8673-55fb-43df-b0fb-ac24246ba87a.pdf)

Një libër është ende në proces përkthimi prej disa vjetësh për shkaqe që nuk është vendi t'i përmend.

(Një vlerësim i përgjithshëm i librave të përkthyer prej meje: Përkthyesi që nuk përkthen)

Këtu po paraqes një prezantim të shkurtër të 6 librave të fundit që, besoj, paraqesin interes jo vetëm për lexuesit dhe dashamirësit, por edhe për bashkëpunëtorët e mundshëm që gjejnë te puna ime talentin dhe përkushtimin që u duhen për të arritur objektiva më të lartë.

Po e bëj këtë përmbledhje që të gjitha gjërat të jenë në një vend, por edhe për të krijuar një fotografi të gjendjes së këtyre librave, me qëllim që, nëse ka ndryshime të mëvonshme, të kem mundësi t'i dalloj.

Gjatë përkthimit të këtyre librave, krijova disa strategji të reja, fort të rralla (ndoshta jam i vetmi që i kam nxjerrë), që mund të përdoren edhe nga kolegët përkthyes. Pra synova që vetë përkthimi të jetë mësim për këdo që është i hapur të mësojë, por edhe frymëzim (shpresoj) për profesionistët e fushave të tjera.

Do të gjeni edhe kritika për secilin libër (nëse do të ketë) dhe disa faqe nga brendia (nëse do të kem), prandaj kontrollojeni këtë shkrim herë pas here. Shihni edhe pjesën e artikujve në fund të shkrimit.

Disa libra i kam përkthyer duke iu referuar edhe varianteve në gjuhët franceze, spanjolle, rumune, italiane, portugeze dhe, për ndonjë fjalë, turke.

__________________

I. TIPARET KRYESORE TË PËRKTHIMEVE TË MIA


Në të gjithë këta libra:

  1. I kam shqipëruar emrat e njerëzve (mosshqipërimi i tyre është shenjë e librave të përkthyer keq ose pa kujdes).
  2. Kam vënë shënime shpjeguese në fund të faqeve, por edhe në shtojcën në fund të librave ku jap shqiptimin e saktë të emrave të kompanive dhe emrat e njerëzve në gjuhën burimore (që të ndihmoj ata që duan të bëjnë vetë kërkime në gjuhën angleze).
  3. Kam punuar ngushtësisht me korrektoren për t'u siguruar që të ketë sa më pak gabime (aq sa na lejon fakti që jemi njerëz).
  4. Jam munduar që autori të rrjedhë sa më shqip. Nëse mendoni se autori është shqiptar duke u nisur thjesht nga leximi, atëherë ia kam dalë mbanë dhe kam bërë përkthim mjeshtëror.
  5. Kam mishëruar në këta libra të gjitha parimet që ju kam mësuar ose kujtuar edhe juve (aq sa munda, por do të vini re edhe njëfarë përparimi nga njëri libër te tjetri, duke synuar përherë nivelin më të lartë të mjeshtërisë).
  6. Kam punuar me shpresë se do të nderoj mentorët e mi dhe njerëzit që patën besim tek unë edhe atëherë kur unë nuk kisha te vetja, por edhe të frymëzoj kolegët dhe nxënësit/çirakët e mi që të bëhen më të mirë se unë.
  7. Unë besoj se nëse secili prej nesh e bën punën që merr përsipër me ndërgjegje dhe me përkushtim, duke qenë i hapur ndaj mundësive të tjera, me siguri do të arrijë sukses dhe shoqëria do të bëhet më e mirë.
Unë e bëra timen, bëjeni edhe ju tuajën në punët tuaja.

Edhe një herë, përkthimet nuk gjykohen nga ndonjë gabim tipografik që mund të gjeni. Kushdo që gjykon ashtu, i mohon vetes mundësinë për të mësuar nga autorët më të mirë të kësaj fushe.

Nëse dëshironi të mësoni më shumë në lidhje me MËNYRËN E PËRKTHIMIT, atëherë kërkojini këta tituj në "Google" (shqipto: gugëll) ose në "YouTube" (shqipto: jutub) dhe lexoni fjalën e përkthyesit.

Në fund, zgjidhini librat nga përkthyesi, jo nga autori.

Nëse libri ju duket i vështirë për t'u kuptuar, atëherë ka shumë mundësi (përveç nëse është ndonjë libër filozofie) që të jetë përkthim i dobët. Mos ia vishni fajin autorit. Di çfarë them, di çfarë ju këshilloj.

U jam mirënjohës bashkëpunëtorëve të deritanishëm dhe kolegëve: pa besimin dhe punën tuaj të palodhur këta libra nuk do ta kishin parë dritën e diellit ose nuk do të kishin cilësinë që kanë.

I jam mirënjohës edhe familjes: kam harxhuar shumë, ama shumë kohë larg teje, kohë që nuk do të më kthehet më. Faleminderit për mbështetjen e pakursyer. Shpresoj që, sado pak, qoftë edhe sa një atom, kjo sakrificë për të ma lehtësuar këtë punë t'ia vlejë.

Jam i hapur për bashkëpunime të mundshme me ekipe që e çmojnë komunikimin e hapur dhe të shpejtë, kujdesin ndaj lexuesit dhe respektin e ndërsjellë.
__________________




II. LIBRAT E PËRKTHYER


1. LIGJET E NATYRËS NJERËZORE


Të dhënat e librit:
Autori: Robert Greene (Robert Grin)
Titulli në gjuhën burimore: The Laws of Human Nature
Titulli në gjuhën shqipe: Ligjet e natyrës njerëzore
Numri i faqeve: 598
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-817-67-7, 9789951817677
Data e botimit: Qershor 2023
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=x2RiavWVK0M
Kritika dhe vlerësime: Vijnë në shqip “Ligjet e natyrës njerëzore” të Robert Greene-it, përkthyesi: Libër që të përball me veten
__________
Përshkrim i shkurtër nga përkthyesi:

Pse sillet vjehrra ashtu siç sillet? Pse na bezdisin edhe gjërat që nuk duhet të na bezdisin? Pse martohemi me njerëzit e gabuar? Si ka mundësi që njerëzit e këqij përparojnë kaq shumë në karrierë, por ata që janë kalë pune nuk arrijnë askund? Pse na dërrmon kaq shumë zilia?

Ky libër është, në gjykimin tim, mbreti i librave të zhvillimit personal. Ka 18 kapituj. Secili mund të lexohet pa qenë nevoja të lexosh të tjerët, pra zëreni se janë 18 libra në një.

Në këtë libër, Grini na ndihmon të njohim edhe veten, edhe tjetrin.

Libri është i gjatë, i ngjeshur me ide dhe duhet lexuar ngadalë për t'u përtypur mirë.

Është mirë të lexohet nga kushdo që synon të njohë veten dhe të arrijë nivel më të lartë të inteligjencës sociale (d.m.th. të aftësisë për të kuptuar të tjerët ashtu siç janë dhe jo siç do të donte të ishin). Kjo është e domosdoshme për ata dhe ato që kanë qejf të arrijnë gjëra të mëdha në jetë, të cilat nuk mund të arrihen pa bashkëpunuar me të tjerët.

Ata që nuk janë gati të njihen me veten, të mos e lexojnë, sepse mund t'i ngacmojë më shumë nga sa duhet.

"O njeri, njih veten" dhe "karakteri yt, o njeri, është fati yt" janë disa prej lajtmotiveve të këtij libri.

A jeni gati ta njihni veten?

__________________

2. MITI I SIPËRMARRJES


Të dhënat e librit:
Autori: Michael E. Gerber (Majkëll E. Gërbër)
Titulli në gjuhën burimore: The E-Myth Revisited: Why Most Small Businesses Don't Work and What to Do About It
Titulli në gjuhën shqipe: Miti i sipërmarrjes: Pse falimentojnë kaq shumë ndërmarrje të vogla dhe çfarë të bëjnë për t'ia dalë mbanë
Numri i faqeve: 298
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 9789951846097, 978-9951-846-09-7
Data e botimit: Nëntor 2023
Disa faqe: https://drive.google.com/file/d/1bn-AQ4VNCtcbpOT5qOYl4kT88w24M9ic/view
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=ATzBGVW9GD4
Kritika dhe vlerësime:
__________
Përshkrim i shkurtër nga përkthyesi:

Këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë ata që kanë lënë punën diku për të hapur ndërmarrje më vete, por që, në fund, ose falimentojnë fare, ose mezi mbajnë hundën mbi ujë që të mos mbyten.

Ke biznesin tënd, ama punon si skllav. Më mirë jetojnë punonjësit e tu se sa ti.

Lexoje këtë libër (dhe, mbi të gjitha, mëso prej tij) nëse je në këtë gjendje.

Libri duhet lexuar patjetër nga çdo profesionist i lirë: berber, jurist, elektricist, mekanik, pronar biznesi, mësues, përkthyes etj. Kushdo që ka dyqan, restorant, mensë, qebaptore etj., ka mundësinë të gjejë ide të shkëlqyera, të cilat, po t'i vërë në zbatim, do ta ndihmojnë për t'u bërë "McDonalds"-i (shqipto: mekdonalds) shqiptar.

Pasuri e madhe, sukses i madh dhe më shumë liri për veten. Sepse jeta është e brishtë.

Ata që e kanë lexuar janë penduar vetëm për një gjë: që nuk e kanë lexuar më përpara.

A do të ishte keq sikur të hapnit një biznes të suksesshëm dhe të siguronit jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj pa u sfilitur kaq shumë?

__________________

3. SUPERTRURI


Të dhënat e librit:
Autori: Jim Kwik (Xhim Kuik)
Titulli në gjuhën burimore: Limitless: Upgrade Your Brain, Learn Anything Faster, and Unlock Your Exceptional Life
Titulli në gjuhën shqipe: Supertruri: Çliro aftësitë mendore, mëso gjithçka më shpejt dhe bëj një jetë të mrekullueshme
Numri i faqeve: 420
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-846-22-6, 9789951846226
Data e botimit: Prill 2024
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=IIJfhGRQPW4
Kritika dhe vlerësime: nuk ka
__________
Përshkrim i shkurtër nga përkthyesi:

Shumë libra përqendrohen te shëndeti i trupit, ndërsa ky tek ai i trurit.

Autori është trajner truri me famë botërore që shpesh i habit njerëzit me aftësinë për të mbajtur mend mbi 100 emra njerëzish njëherësh, pa u përgatitur më përpara.

Në këtë vepër, ai jep teknika për të përmirësuar kujtesën, për të rregulluar punën e trurit, për të pakësuar stresin, për të mësuar më lehtë gjuhët e huaja dhe, në përgjithësi, për të çliruar aftësi të ndryshme të trurit, por që njerëzit zakonisht i shohin si të paarritshme.

Është mirë të lexohet edhe nga studentët për të menaxhuar më mirë mënyrën se si përgatiten për provimet.

Ata që e kanë lexuar librin "Shprehi atomike" të Xhejms Klliërit (James Clear), do ta shijojnë këtë libër pa masë.

Libër i mirë për ata që duan të lexojnë në gjuhë të thjeshtë gjëra për neuroshkencën dhe për parimet e shëndetit të trurit. Pa tru të shëndetshëm, nuk ka rezultate as në punë dhe as në jetë.

Vetë leximi i këtij libri (dhe i librave në përgjithësi), edhe sikur të mos zbatoni asgjë, do t'ju bëjë mirë.

Truri meriton pak lexim. Pse të mos nisni tani?

__________________

4. GJASHTË SUBSTANCAT QË TA NDRYSHOJNË JETËN


Të dhënat e librit:
Autori: David JP Phillips (David JP Filips)
Titulli në gjuhën burimore: High on Life: How to naturally harness the power of six key hormones and revolutionise yourself
Titulli në gjuhën shqipe: Gjashtë substancat që ta ndryshojnë jetën
Numri i faqeve: 285
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-846-28-8, 9789951846288
Data e botimit: Qershor 2024
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=RhXCqFqCRjc
Kritika dhe vlerësime: nuk ka
__________
Përshkrim i shkurtër nga përkthyesi:

Në këtë libër trajtohet çështja e ndryshimit të humorit. Autori tregon disa teknika për të ndryshuar nivelin e gjashtë hormoneve (dopaminë, kortizol, serotoninë, testosteron, endorfina, oksitocinë).

Njeriu ka shumë hormone, por këta janë gjashtë më kryesorët që kanë më shumë ndikim te trupi, por edhe që mund të ndikohen nga trupi. Kush zotëron emocionet, zotëron edhe veten.

Duke bërë veprime ose duke u futur në gjendje të ndryshme (vrapim, banjë me ujë të ngrohtë e të ftohtë, shikim i fotografive të njerëzve të dashur etj.), njeriu është në gjendje ta ndryshojë humorin (gjendjen emocionale) dhe të bëhet më i guximshëm, por edhe më i butë dhe më i dashur sipas rrethanave.

Nëse ua nxirrni inatin fëmijëve ose burrit/gruas, mësoni disa teknika si të mblidhni veten para se të kapërceni pragun e derës, sepse kështu do t'i bëni nder edhe vetes, edhe njerëzve të afërt.

Në libër jepen edhe receta të ndryshme për të ulur dhe ngritur nivelin e stresit.

Tema e neurokimikateve është e vështirë dhe e ngatërruar për nga vetë natyra e saj, por autori e ka përcjellë shumë qartë, me gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për këdo.

Libër tepër i veçantë në zhanrin e librave të zhvillimit personal. Shkruar bukur dhe këndshëm (kuptohet: përkthyer po aq këndshëm :) ).

__________________

5. ZGJIDHI ARMIQTË ME MATURI


Të dhënat e librit:
Autori: Patrick Bet-David (Patrik Bet-David) dhe Greg Dinkin (Greg Dinkin)
Titulli në gjuhën burimore: Choose Your Enemies Wisely: Business Planning for the audiacious few
Titulli në gjuhën shqipe: Zgjidhi armiqtë me maturi: Planifikimi i biznesit për guximtarët e rrallë
Numri i faqeve: 340
Shtëpia botuese: KOLIQI
ISBN: 9789951814775, 978-9951-814-77-5
Data e botimit: Tetor 2024
Disa faqe: https://drive.google.com/file/d/1uhTII2iFU78AhSJfoTdp8jtCvVUiNDOH/view
Kritika dhe vlerësime: https://businessmag.al/zgjidhi-armiqte-me-maturi-kritike-perkthimi/
__________
Përshkrim i shkurtër nga përkthyesi:

Në këtë libër ofrohet një gërshetim çudibërës midis emocioneve dhe logjikës. Emocionet janë karburanti, ndërsa logjika është motori. Njëra nuk bën dot pa tjetrën. Dhe kjo, sipas autorit, është arsyeja pse planet e biznesit sot nuk funksionojnë: kanë vetëm njërin element, jo të dy.

Por ku gjendet karburanti?

Tek armiqtë, jo te konkurrentët. Këta janë tjetër gjë. Armiku nuk ka pse të jetë njeri: mund të jetë edhe ideologji, dukuri, ves etj. "Armiku të çon andej nga nuk të çon miku."

Duke përdorur armiqtë si karburant dhe duke pasur një plan biznesi, lexuesi do të arrijë të mendojë më gjatë, të qartësojë vizionin dhe të arrijë gjëra më të mëdha falë ambicies.

Autori përmend fjalët "plan biznesi" që në titull, por libri duhet lexuar nga të gjithë, duke filluar nga prindërit dhe profesionistët e lirë e deri te klerikët fetarë, shkencëtarët dhe politikanët.

Libri është shkruar në gjuhë dinamike, është tërheqës, i rrjedhshëm, përfshirës dhe me shumë ide të zbatueshme.

Është pak i ashpër, sepse të nxit të hidhesh në veprim. Vetë autori është tepër ambicioz: nisi nga hiçi dhe arriti të bëhet një ndër pishtarët e lirisë së shprehjes në Amerikë.

Nuk është për këdo ky libër, por për guximtarët ose kokëkrisurit e rrallë, ata që duan të arrijnë gjëra të mëdha në jetë, të bëjnë namin dhe jo thjesht të ekzistojnë.

Njerëzit e suksesshëm kuptohen nga shpejtësia me të cilën i zbatojnë këshillat.

Të tjerët thjesht i dëgjojnë dhe ikin. Ose thjesht lexojnë këtë përshkrim dhe as që e shfletojnë.

Ti cili je nga këta?

__________________

6. MJESHTËRIA


Të dhënat e librit:
Autori: Robert Greene (Robert Grin)
Titulli në gjuhën burimore: Mastery
Titulli në gjuhën shqipe: Mjeshtëria
Numri i faqeve: 334
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-986-10-6, 9789951986106
Data e botimit: Nëntor 2024
Disa faqe: https://drive.google.com/file/d/14Ad1LEhwEbp7teDwO8650nhPdOiTWl2w/view
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=Wsjeaa_cz-4
Kritika dhe vlerësime: nuk ka
__________
Përshkrim i shkurtër nga përkthyesi:

Kur mendojmë për Darvinin, Ajnshtajnin, Da Vinçin, Prustin etj., na shkon mendja të gjenia.

Dhe këtë e shohim si dhunti të lindur, diçka të paarritshme, mistike.

Autori, që është ekspert botëror i natyrës njerëzore, e shkul nga rrënjët këtë mit, këtë keqkuptim dhe sjell, nëpërmjet hulumtimeve të thella (ka lexuar mbi 300 libra dhe mijëra artikuj vetëm për të shkruar këtë libër), disa metoda dhe shtigje që do të ndihmojnë shumë e shumë njerëz që të arrijnë mjeshtërinë, formën më të lartë të pushtetit që mund të arrijë njeriu si qenie.

Mjeshtëria sot ka rëndësi të jashtëzakonshme. Mjeshtërit sot respektohen. Sillni ndërmend doktorin që i ka duart flori, ose këpucarin që i preku me dorë këpucët dhe ato nuk prishën për një kohë të gjatë, ose bletarin që nuk e pickon bleta dhe duket sikur flet gjuhën e tyre etj.

Këto aftësi mund t'i mësojnë të gjithë, por duhet të ndjekin disa shtigje. Autori i jep këto shtigje duke i ilustruar me shembuj konkretë nga jeta e shumë mjeshtërve, bashkëkohorë dhe të vjetër.

Është libri i përsosur për këdo që synon të bëhet mjeshtër në çfarëdo lloj fushe: art, shkencë, sport, letërsi, pikturë, kërcim etj.

E mora përsipër këtë libër si shenjë falënderimi për mentorët prej të cilëve mësova dhe për nxënësit që më nxisin të mësoj më shumë.

_______________


_______________


Postime të spikatura