Si të gjej atë që kërkoj?
Përdor skedat horizontale, etiketat në të djathtë anash, ose kutizën e kërkimit në të djathtë ku shkruan "KËRKO KËTU". Provo të shkruash me "ë" dhe me "ç".
Pse janë anglisht disa fjalë në një bllog ku flitet për mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme?
Sepse "Blogger"-i nuk e përkrah gjuhën shqipe. Pjesët që janë anglisht nuk kam si t'i ndryshoj. Është jashtë mundësive të mia.
Për çfarë shërben ky bllog?
Për të edukuar njerëzit për rëndësinë e përkthimit dhe të rolit të përkthyesit, por edhe për të frymëzuar brezin e ri të përkthyesve.
Në thelb, ky bllog është reagim ndaj rënies së skajshme të cilësisë së përkthimeve. Më dhimbsen shqiptarët që blejnë libra të përkthyer shumë keq. Sikur të mos mjaftonte kjo, tani edhe përkthyesit me emër nuk përkthejnë mirë, a thua harruan gjuhën?
Të mos flas këtu për tekstet shkollore. Dikur vështirë të gjeje 5 gabime tipografike (jo drejtshkrimore dhe, aq më pak, gramatikore) në gjithë librin. Sot i ke brenda paragrafit pikërisht te tekstet mësimore të nxënësve, ku nuk duhej të ishin në asnjë mënyrë!
Ka prej tyre që as emrat e huaj nuk i shqipërojnë (ose transliterojnë). Si do ta lexojë shqiptari që nuk di anglisht një emër si "Calquehoun" ose "Saoirse"? Ai që di sa ta lexojë këtë saktë me shumë mundësi e lexon anglisht.
Unë nisem nga besimi se shqiptarët meritojnë libra më të hajrit. Sepse po rropaten për ato pak lekë me të cilat blejnë librat për fëmijët dhe veten.
Libri i përkthyer keq është vjedhje, sepse po shitet sikur ka një vlerë të caktuar, por që nuk e ka. Është ngrënie jo në kandar, por në dije.
Shih edhe këtë: Për çfarë shërben "Manuali i Jonisit për përkthimin"?
Nga të lindi kjo ide?
Është rrugëtim i gjatë. Këtu po them vetëm që po bëhem mentori që do të doja të kisha pasur që prej fëmijërisë. Për këtë arsye shkruaj sa më qartë që mundem dhe me fjalë të kuptueshme. Disa njerëz më kanë thënë që kam aftësi të shpjegoj thjesht gjërat e vështira. Po përpiqem që këtë aftësi ta përdor këtu sa më shumë.
Po ashtu, flitet shumë për "përkthime të dobëta", por, me përjashtim të një a dy artikujve gjithsej (përveç të mive në "LinkedIn"), askush nuk jep komente konkrete se çfarë gabimesh janë bërë dhe si duhen shmangur.
Këtu synoj ta ndryshoj këtë gjendje sado pak, jo nëpërmjet teorirave (për këto shkoni në fakultet), por nëpërmjet arsyetimit dhe shembujve konkretë.
Nëse ky bllog do të rrijë në internet, kam besim se një ditë dikush do të frymëzohet për t'u bërë më i mirë nga sa munda të bëhesha unë. Tekefundit, e nderon mësuesin vetëm nxënësi që ia kalon atij.
Pse i bën falas gjithë këto shkrime?
Sepse nëse dëshiron të të shtohet dija, jep diçka nga dija.
Nëse dëshiron të të shtohet pasuria, jep diçka nga pasuria.
Jep atë për të cilën ke nevojë.
Sepse qarkullimi është jetë, zhvillim, përtëritje, rritje.
Këtu po mësoj veten time 5-vjeçare. Jam mentori që doja të kisha. Ndoshta puna ime frymëzon të tjerët (qoftë edhe një person të vetëm) që të arrijnë më shumë nga sa arrita unë.
Më ka pëlqyer një artikull këtu. A mund ta postoj te faqja ime?
Po, por duke cituar emrin e bllogut dhe PA ndryshuar tekstin. Nëse më premton se nuk do t'i bësh këto, atëherë zëre se e ke lejen në xhep.
Nuk më intereson edhe nëse e poston në ndonjë portal. Qëllimi im këtu është edukimi, jo fitimi.
Pse nuk blen një domein?
Sepse, me sa di unë, ata nuk punojnë më nëse nuk paguhen. Ky që është falas ka më shumë gjasë të qëndrojë online për një kohë më të gjatë, duke u shërbyer kështu më shumë njerëzve.
Pra nuk është nga kurrnacëria, por nga dëshira për t'ua vënë këtë dije në dispozicion njerëzve për një kohë sa më të gjatë.
Si mund të të kontaktoj?
Përdor formularin te pjesa "Kontakti".
Kam një pyetje për përkthimin. Si mund të ta dërgoj?
Më shkruaj te pjesa "Kontakt". Nëse është pyetje me vend dhe nëse do të kem mundësi, do të bëj ndonjë shkrim për të.
Kam një pyetje për gjuhësinë dhe burimin e fjalëve.
Jo, mos ma nis.
Nuk jam gjuhëtar.
Jam përkthyes me pasion dhe politilog me profesion. Ka përkthyes që janë gjuhëtarë, por për të qenë përkthyes nuk ka pse të jesh gjuhëtar. Shoferi nuk ka pse të dijë si punon motori i makinës: është mirë ta dijë, por nëse nuk di, nuk do të thotë që është shofer i keq. Detyra e tij është të dijë të manovrojë dhe jo të rregullojë motorin (përveç nëse është edhe mekanik). Besoj se e kupton ku dua të dal.
Pyet dikë që di më shumë se unë, p.sh. ndonjë profesor universtar ose vizito grupin "Gjuha shqipe pa gabime" në "Facebook".
A mund të bëhesh mentori im?
Po ti, a je gati të bëhesh nxënësi ose nxënësja ime?
Mentori është gati kur është gati nxënësi.
Lexo në fillim librin "Mjeshtëria" të Robert Grinit (Robert Greene). Titulli anglisht është "Mastery" (që të mos mendosh se po të shes libra).
Kam pasur vetëm një nxënëse. Të tjerët nuk ishin të gatshëm të mësonin.
Në përgjithësi dhe tani për tani, nuk jam i hapur për këtë. Ky bllog duhet të mjaftojë.
Je i hapur për intervista?
Po, por vetëm me shkrim. Pasi të prezantohesh, më shkruaj pyetjet.
Ndalohet rreptësisht ndërhyrja në tekst pa miratimin tim përfundimtar. Kjo sepse më cenon imazhin. E kam vënë re që shumë gazetarë, ngaqë nxitohen, shkruajnë si mos më keq. Nuk bën që dikush që merret me përkthim të bëjë gabime trashanike (përveç atyre tipografike që mund të gjenden edhe këtu).
Je i hapur për bashkëpunime?
Po, por varet për çfarë bëhet fjalë.
Nëse bëhet fjalë për libra, më duhet t'i shqyrtoj në fillim që të shoh nëse kam njohuritë e duhura për t'i përkthyer si duhet. Ndryshe nga pjesa dërrmuese e përkthyesve këtu, unë nuk nisem nga fitimi, por nga emri që do të lë pas.
Nëse e marr përsipër, dua që ta kem emrin në kapak, përndryshe nuk kam interes (të paktën jo në këtë pikë të karrierës). Krahas kësaj, dua të kem bashkëpunim të ngushtë me korrektorin: pa këtë bashkëpunim, është e pamundur t'i paraqiten lexuesit shqiptar libra dinjitozë që i flasin mendjes dhe zemrës së tij.
Më shkruaj dhe shohim çfarë bëjmë: disa gjëra duhen shkoqitur mirë.
Kam gjetur disa gabime drejtshkrimore dhe gramatikore në postimet e tua.
Janë gjëra që ndodhin. I ndodhin edhe Akademisë që ka një ekip të tërë gjuhëtarësh e lëre më një eksperti të vetëm si unë!
Po përfitoj nga rasti për të sqaruar që ka dallim midis gabimit drejtshkrimor, gabimit tipografik dhe gabimit gramatikor. Ndonjëherë përputhen, por nuk janë e njëjta gjë. Për fat të keq, shqiptarët nuk i dinë këto dallime dhe shpesh thonë se përkthimi është i keq për shkak se gjejnë gabime tipografike. Ta gjykosh kështu përkthimin është njëlloj si të thuash që delja nuk bën ngaqë bariu i ka vënë zile të kuqe dhe jo të zezë.
Njëri nga objektivat e mi është t'i mësoj shqiptarët që përkthimet nuk gjykohen nga gabimet tipografike.
Megjithatë m'i dërgo. Nëse më duken me vend, do të bëj përmirësimet e nevojshme.
Çfarë u thua atyre që të kritikojnë?
I falënderoj (edhe kur kritikat janë të pavendta), sepse pa ta nuk do ta kuptoja që kam peshë dhe që nuk jam vetëm.
Nëse i kam ngacmuar me shkrimet e mia, kjo është gjë e mirë sepse i kam vënë shkëndijën një debati që duhej të kishte nisur prej kohësh.
Krahas kësaj, edhe unë, edhe kritikët e dimë që, edhe pse më kritikojnë në publik, përsëri i shohin shkrimet e mia për të mësuar: kështu unë jetoj në mendjet e tyre.
Pse i bie kaq gjatë?
Së pari, sepse, shpeshherë, ata që i kanë rënë shkurt e kanë pësuar më keq.
Së dyti, sikur të kishin dhënë rezultat metodat e shkurtra, me siguri as nuk do të më shkonte ndër mend t'i bija gjatë.
Ja një shembull. Dikur një mësuese e gjuhës shqipe më kritikoi në "Facebook" se i kam rënë shumë gjatë kur po trajtoja trajtat e shkurtra (d.m.th. m'i, m'u, t'iu etj.). Sikur të jepnin rezultat metodat e saj të shkurtra, me siguri shqiptarët do të shkruanin më mirë. Lajmi i mirë është që mësues të tillë nuk kanë ndonjë zë që ia vlen të dëgjohet. Prandaj shkrimi im u bëri dobi atyre që, më në fund, donin të shihnin gjithë arsyetimin dhe jo thjesht të mësonin përmendësh përfundimin.
Së treti, më pëlqen t'i shtjelloj mendimet gjatë. Sa më gjatë të shkruash, aq më shumë rriten mundësitë për ta përthithur ose përvetësuar materialin.
Përsëritja u bën dobi atyre duan të përmirësohen.
Nuk ke frikë se mos t'i vjedhin materialet këtu?
Jo. Për dy arsye. Së pari, është e lehtë të verifikohet që janë vjedhur nga këtu. Së dyti, edhe po t'i shndërrojnë si ide, përsëri unë dhe hajduti e dimë çfarë ndodhi: unë do të jetoj në brendinë e tij.