Autori: Robert Greene (Robert Grin)
Titulli në gjuhën burimore: The Laws of Human Nature
Titulli në gjuhën shqipe: Ligjet e natyrës njerëzore
Numri i faqeve: 598
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-817-67-7, 9789951817677
Data e botimit: Qershor 2023
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=x2RiavWVK0M
Kritika dhe vlerësime: Vijnë në shqip “Ligjet e natyrës njerëzore” të Robert Greene-it, përkthyesi: Libër që të përball me veten
__________
Përshkrim i shkurtër
Pse sillet vjehrra ashtu siç sillet? Pse na bezdisin edhe gjërat që nuk duhet të na bezdisin? Pse martohemi me njerëzit e gabuar? Si ka mundësi që njerëzit e këqij përparojnë kaq shumë në karrierë, por ata që janë kalë pune nuk arrijnë askund? Pse na dërrmon kaq shumë zilia?
Ky libër është, në gjykimin tim, mbreti i librave të zhvillimit personal. Ka 18 kapituj. Secili mund të lexohet pa qenë nevoja të lexosh të tjerët, pra zëreni se janë 18 libra në një.
Në këtë libër, Grini na ndihmon të njohim edhe veten, edhe tjetrin.
Libri është i gjatë, i ngjeshur me ide dhe duhet lexuar ngadalë për t'u përtypur mirë.
Është mirë të lexohet nga kushdo që synon të njohë veten dhe të arrijë nivel më të lartë të inteligjencës sociale (d.m.th. të aftësisë për të kuptuar të tjerët ashtu siç janë dhe jo siç do të donte të ishin). Kjo është e domosdoshme për ata dhe ato që kanë qejf të arrijnë gjëra të mëdha në jetë, të cilat nuk mund të arrihen pa bashkëpunuar me të tjerët.
Ata që nuk janë gati të njihen me veten, të mos e lexojnë, sepse mund t'i ngacmojë më shumë nga sa duhet.
"O njeri, njih veten" dhe "karakteri yt, o njeri, është fati yt" janë disa prej lajtmotiveve të këtij libri.
A jeni gati ta njihni veten?
__________
Aspekti i përkthimit
M’u desh rreth një vit kohë për ta përkthyer, verifikuar dhe
rishikuar me bashkëpunëtorët e shtëpisë botuese. Libri ka rreth 308 000 fjalë
dhe 18 kapituj.
Për t’i sjellë lexuesit një libër të denjë që do të
qarkullojë për shumë vjet, pa qenë nevoja për t’u ripërkthyer, u mbështeta në
variantet në gjuhën franceze, rumune, portugeze dhe spanjolle. Këto më ndihmuan
për të kuptuar sa më shumë tekstin, meqë komunikimi me autorin ka qenë i
pamundur.
Jam mbështetur në fjalorë të ndryshëm, dygjuhësh dhe
njëgjuhësh.
Ka të paktën dy elemente që duhen drejtpeshuar si duhet në
çdo përkthim: stili (rrjedhshmëria) dhe saktësia terminologjike.
Për t’i ardhur në ndihmë lexuesit që mund të mos i kuptojë
të termat e fushave të ndryshme që përmenden në libër, kam vënë shënime
shpjeguese në fund të faqes.
Kam synuar që vepra të rrjedhë sa më shqip. Kam shmangur sa
kam mundur përdorimin e “një”-së (p.sh. “ai është një artist”) dhe në vend të
saj kam përdorur të pashquarën (p.sh. “ai është artist”, dihet që “një” është,
s’është dy).
Aty ku ka pasur lojëra fjalësh në variantin origjinal, këto
i kam përshtatur në gjuhën tonë, duke përmbysur gjithë fjalitë në disa raste,
vetëm që të mos humbte kuptimi dhe natyrshmëria.
Sot, rreth një vit pas daljes së librit, vërej me kënaqësi
që është pritur shumë mirë, gjë që më nxit të punoj edhe më fort në libra të
tjerë.
Në fund të librit, lexuesit do të gjejnë një shtojcë me
emrat e shqipëruar. Shtojca e zgjidh një problem që nuk duhet të jetë fare
problem: çështja e shqipërimit apo jo të emrave të huaj. Emrat i kam shqipëruar
që t’ua bëj të lehtë lexuesve, por variantet e tyre në gjuhën burimore
(anglisht ose tjetër) i kam vënë përbri në fund, në formën e një fjalorthi,
pasi kështu ata dhe ato që janë të interesuar mund të mësojnë më shumë rreth
personave në fjalë.
Lënia e emrave të huaj në gjuhën shqipe ashtu siç shkruhen
në gjuhën e huaj përbën njërin prej shkatërrimeve më të mëdha të gjuhës për
shumë arsye, ngaqë cenon vetë parimin “një tingull – një shkronjë”.
Jam përpjekur të respektoj traditën e përkthimit, duke
shqipëruar emrat për të cilët ka shqipërim (si p.sh. “Simón”, dhe jo “Sajmën”
ose “Joshua”, dhe jo “Xhoshua”). Për emra të tjerë, kam gjetur diçka të
ndërmjetme. Dihet që shqiptimet e emrave ndryshojnë edhe sipas varianteve të
anglishtes (britanike ose amerikane) dhe origjinës (në Amerikë banojnë njerëz
nga të gjitha kombësitë), prandaj është e pamundur të jepen shqiptime të gjithëpranuara.
Për këtë arsye, transkriptimi këtu është i përafërt dhe nuk synon kurrsesi të
zëvendësojë shqiptimin e saktë në gjuhët origjinale. Po ashtu, ka emra që mund
të shqiptohen më saktë në shqipe sesa në anglishte (si p.sh. Nguyen, mbiemër
vietnamez). Emrat i kam pajisur me shenjat e theksit për lehtësi shqiptimi, por
theksi mund të ndryshojë gjatë lakimit (p.sh. “Ánderson” bëhet “Andersónin”).
Ka të paktën tri arsye pse i kam shqipëruar emrat e
njerëzve. Së pari, sepse shqipja është gjuhë fonetike: si shkruhet, ashtu
shqiptohet. Së dyti, shqipërimi i emrave ndihmon me lakimin, që është
karakteristikë e shqipes, por që, për shkaqe që nuk kam vend t’i trajtoj këtu,
po përçudnohet në çdo anë. Së treti, për mua ka rëndësi të madhe që lexuesi që
nuk e njeh gjuhën burimore të emrit ta shijojë leximin dhe jo t’i duket barrë e
rëndë.
Lënia e emrave në gjuhën burimore e pengon shumë leximin. Ja disa
shembuj: “Yanjaa”, “Altucher”, “Hough”, “Leigh”, “Colquhoun” dhe “Hsieh” (këta
emra përmenden në librin “Supertruri” të Xhim Kuikut [Jim Kwik]). Falë
shqipërimit ose transliterimit, lexuesit nuk kanë nevojë të bëjnë gjimnastikë mendore të
pafrytshme për të hamendësuar se si shqiptohen emrat e huaj. Kur shkruajmë
shqip, le të shkruajmë shqip.
Në fund, ky libër ishte sfidë që pranova me shumë kënaqësi,
edhe pse çmimi që pagova ishte se kalova më pak kohë me njerëzit e dashur. Por
në çdo fjalë kam menduar për lexuesit.
Nëse kam bërë punë të mirë apo jo, këtë le ta gjykojë
lexuesi i kualifikuar. Sa për mua, unë di vetëm që bëra sa munda, si njeri që
jam, që autori të flasë shqip dhe saktë njëlloj sikur të ishte studiues vendas.

No comments:
Post a Comment