Autori: Jim Kwik (Xhim Kuik)
Titulli në gjuhën burimore: Limitless: Upgrade Your Brain, Learn Anything Faster, and Unlock Your Exceptional Life
Titulli në gjuhën shqipe: Supertruri: Çliro aftësitë mendore, mëso gjithçka më shpejt dhe bëj një jetë të mrekullueshme
Numri i faqeve: 420
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-846-22-6, 9789951846226
Data e botimit: Prill 2024
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=IIJfhGRQPW4
Kritika dhe vlerësime: nuk ka
__________
Përshkrim i shkurtër
Shumë libra përqendrohen te shëndeti i trupit, ndërsa ky tek ai i trurit.
Autori është trajner truri me famë botërore që shpesh i habit njerëzit me aftësinë për të mbajtur mend mbi 100 emra njerëzish njëherësh, pa u përgatitur më përpara.
Në këtë vepër, ai jep teknika për të përmirësuar kujtesën, për të rregulluar punën e trurit, për të pakësuar stresin, për të mësuar më lehtë gjuhët e huaja dhe, në përgjithësi, për të çliruar aftësi të ndryshme të trurit, por që njerëzit zakonisht i shohin si të paarritshme.
Është mirë të lexohet edhe nga studentët për të menaxhuar më mirë mënyrën se si përgatiten për provimet.
Ata që e kanë lexuar librin "Shprehi atomike" të Xhejms Klliërit (James Clear), do ta shijojnë këtë libër pa masë.
Libër i mirë për ata që duan të lexojnë në gjuhë të thjeshtë gjëra për neuroshkencën dhe për parimet e shëndetit të trurit. Pa tru të shëndetshëm, nuk ka rezultate as në punë dhe as në jetë.
Vetë leximi i këtij libri (dhe i librave në përgjithësi), edhe sikur të mos zbatoni asgjë, do t'ju bëjë mirë.
Truri meriton pak lexim. Pse të mos nisni tani?
__________
Aspekti i përkthimit
Suksesi në Shqipëri i librave të shumëshitur në botë varet
shumë nga mënyra e përkthimit. Kam kohë që kam parë punime shumë të dobëta,
madje deri aty sa ndërrohet kuptimi fare.
Kam punuar fort që lexuesit e këtij libri të mos zhgënjehen
për nga saktësia e përcjelljes së mesazhit.
Ja çfarë kam bërë për t’ia dhënë hakun lexuesve, autorit,
por edhe bashkëpunëtorëve, madje edhe shitësve të librave, që nuk denjojnë ta
përmendin emrin e përkthyesit askund.
- Kam ruajtur termat nga njëra vepër në tjetrën. Kur autori citon një autor tjetër që është përkthyer në gjuhën shqipe më herët, unë, aq sa kam mundur, kam përdorur të njëjtat terma, edhe atëherë kur vetë nuk kam qenë dakord me mënyrën e përkthimit. Kjo është etikë profesionale që rrallë ndiqet në hapësirën shqiptare.
- Libri ka pjesë që nuk mund të përktheheshin. Në këtë rast, m’u desh të mbështetesha në aftësitë dhe përvojën time për të marrë rolin e autorit. Kjo vihet re në pjesët ku flitet për metodat e mësimit të gjuhëve të huaja.
- Libri ka plot lojëra fjalësh dhe terma. Këto i kam përshtatur, duke dhënë referencat përkatëse. Sa për termat dhe referencat kulturore, këto i kam shpjeguar me shënime në fund të faqes. Këto shënime janë pjesë e rëndësishme që e bëjnë librin të kuptueshëm edhe për lexuesin shqiptar, edhe pse autori përmend elemente kulturore që hasen në Amerikë.
- U jam referuar varianteve në gjuhën franceze dhe portugeze, për “një mendje tjetër”, siç i thonë fjalës, nga kolegët e huaj.
- Kam ruajtur sintaksën e shqipes, duke synuar që libri të ndihet sikur të jetë shkruar nga ndonjë autor shqiptar (ndonëse ka prej tyre që shkruajnë shqip sikur përkthejnë me “Google Translate”). Siç shprehet edhe gjuhëtari, shkrimtari dhe publicisti Mehmet Elezi, “sintaksa [...] po shkatërrohet me të njëjtin “përkushtim” si dhe fjalori”. Kjo e bën leximin më të këndshëm dhe më të rrjedhshëm, duke i mundësuar lexuesit të përqendrohet te përmbajtja dhe jo te gjimnastika mendore dhe ndërlikimet e panevojshme që hasen shpesh në libra të tjerë.
- I kam shqipëruar emrat e huaj, të cilët i kam nxjerrë në një shtojcë në fund të librit. Kjo për t’ua bërë më të lehtë lexuesve që t’i gjejnë. Kam shkruar edhe më tej nga sa më kërkohej: kam vënë shenjat e theksit, me qëllim që të ketë shqiptim sa më të saktë. Kjo metodë i jep zgjidhje problemit të madh që kemi me emrat e huaj: a të lihen siç janë në gjuhën burimore apo t’i shkruajmë si shqiptohen?
Këto parime i kam ndjekur në të gjithë librat e tjerë, duke synuar ta mbroj gjuhën aq sa mund ta mbrojë një njeri i vetëm.
(Shih edhe portofolin.)
Si përkthyes, kam synuar që vetë vepra, vetë puna ime, të
jetë frymëzim për sa më shumë njerëz që e çmojnë etikën e punës,
profesionalizmin, përkushtimin dhe njëfarë doze talenti të kultivuar me shumë
mund. Ndërsa për ata që i kanë këto cilësi, shpresoj që puna e bërë në këtë libër
t’i motivojë të vazhdojnë në atë rrugë, ndonëse mbështetja dhe mirënjohja
vështirë se ekzistojnë për ta.
Shënim: Nuk shes libra. Blerja e librit nuk krijon kurrfarë
detyrimi në raport me mua. Tani për tani, nuk përmend dot ndonjë librari, meqë
as ato nuk më kanë përmendur mua. Përkthimi zgjati me muaj të tërë dhe përbën
një pjesëz dhe shprehje të qenies sime.
Mbetem me shpresë që puna që kam bërë të përligjë çdo
sekondë dhe qindarkë të harxhuar prej lexuesve dhe lexueseve. Ju mbaj parasysh
në çdo fjalë që përkthej.

No comments:
Post a Comment