12.15.2024

Miti i sipërmarrjes: A ia vlen ta lexosh?

URL-ja e postimit origjinal: Miti i sipërmarrjes: A ia vlen ta lexosh?


----

Është e pamundur të mos vërej punimet cilësore, sidomos kur ato rrjedhin shqip. I lexoj me kujdes dhe shoh se sa më përfshijnë, sa më bëjnë për vete, sa ma tërheq vëmendjen teksti gjatë leximit. Sa më shumë të ma tërheqë vëmendjen, aq më shumë më mundëson t’i përthith idetë e autorit që jeton në një botë tjetër nga e imja.

Libri klasik “Miti i sipërmarrjes”, ndër më të shiturit në botë, ishte libri që nuk dija që më duhej aq shumë. E kuptova rëndësinë e këtij libri vetëm pasi e lexova. Do të doja ta kisha lexuar më herët.

Në këtë kritikë dua të flas pak për përmbajtjen e librit, por edhe për vetë përkthimin.

Pse?

Për dy arsye.

Së pari, sepse do të doja që kushdo që e lexon këtë kritikë të përfitojë diçka konkrete dhe ta lexojë këtë libër, që mbante përgjigjet që kisha shumë kohë që i kërkoja. Dhe i gjeta aty, të shkruara aq qartë dhe këndshëm, saqë tani ndiej lehtësimin që ndien ai që, më në fund, gjen rrugën që e çon aty ku do.

Së dyti, do të flas pak për përkthimin, sepse rrallë më ndodh të lexoj libra të përshtatur kaq mirë, madje aq mirë saqë nuk vërehet fare që autori është i huaj. Një shqipërim shembullor që duhet ndjekur nga kushdo që e quan veten përkthyes. Stili është i papërsëritshëm. Falë këtij përkthimi kaq cilësor (do ta quaja shqipërim të mirëfilltë), arrita të depërtoj në thelbin dhe shpirtin e vetë veprës si rrallëherë.


TË DHËNAT E LIBRIT
Autori: Michael E. Gerber (Majkëll E. Gërbër)
Titulli në gjuhën burimore: The E-Myth Revisited: Why Most Small Businesses Don't Work and What to Do About It
Titulli në gjuhën shqipe: Miti i sipërmarrjes: Pse falimentojnë kaq shumë ndërmarrje të vogla dhe çfarë të bëjnë për t’ia dalë mbanë
Shqipërues: M.Sc. Jonis Y. Buzi
Numri i faqeve: 298
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 9789951846097, 978-9951-846-09-7
Data e botimit: Nëntor 2023

I. KUSH DUHET TA LEXOJË KËTË LIBËR

Këtu po flas për përmbajtjen e librit. Theksoj që në fillim që nuk kam asnjë lloj interesi nga shitja e librit dhe as nga reklamimi i këtij apo atij përkthyesi apo shtëpie botuese. Po them vetëm çfarë mendoj, sepse ende e kemi të drejtën e fjalës. Për mua, ky libër duhet të jetë pjesë e kurrikulës universitare të çdo fakulteti të ekonomisë dhe menaxhimit.

Prandaj këtë libër do ta quaja një ndër më të bukurit dhe më kuptimplotët për sa i takon tematikës dhe fushës që trajton. Ndërsa lexoja librin më vinte keq për veten pse nuk e kisha shtënë në dorë më herët.

E gjykoj dhe them me bindje se është abetarja për gjithsecilin nga ne që dëshiron të krijojë, ndërtojë e zhvillojë sipërmarrjen e vet në cilëndo fushë të industrisë. Është një libër që, falë qartësisë, të nxjerr nga labirintet e mendjes dhe të lehtëson çdo hap që do të ndërmarrësh.

Është libër që të sjell formulën e gatshme të krijimit të sipërmarrjes/punës sate duke të të udhëzuar hap pas hapi dhe duke të të shpjeguar gjithçka me hollësi, nga konceptimi, hulumtimi i tregut, caktimi i objektivave e deri te krijimi i organigramës me synim që biznesi të bëhet si makina: i prodhueshëm në seri, i kopjueshëm, ashtu siç është “McDonald’s”-i sot.

Kisha kohë që kërkoja të gjeja disa përgjigje që i gjeta ndërsa lexoja këtë libër. Më përpara, më dukej sikur kisha humbur busullën, por me këtë libër e gjeta.

Përmbyllja e librit më la në shpirt e mendje shtegun, hapat, mënyrat, zgjidhjet, qartësinë dhe sigurinë në vete për nisma të reja. Libri nuk është thjesht motivues, por në të jepet një hartë konkrete që duhet ta ndjekë kushdo që ka biznes ose mendon të hapë një, sado i vogël të jetë ai.

Po e mbyll këtë pjesë të analizës me fjalët se ky libër është kulmi ku mjeshtëria e autorit ka takuar mjeshtërinë e shqipëruesit për të na sjellë një libër perlë dhe të papërsëritshëm që askush nuk duhet ta anashkalojë pa e lexuar.

Të tilla shqipërime i duhen bibliotekës shqipe dhe shqiptarëve.


II. KRITIKA E PËRKTHIMIT

Këtu po shkruaj për aspektin e përkthimit, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Pa përkthim të mirë, e gjithë vepra, sado e mirë të jetë, humb, bëhet e pavlerë.

Përshkrimi i librit fizik

Libri ka rreth 300 faqe. Është i shtypur me letër cilësore. Ndihet mirë në dorë. Është libri i parë i këtij autori i përkthyer në gjuhën shqipe, megjithëse është përkthyer në mbi 40 gjuhë.

Emri i përkthyesit nuk figuron në kapakun e përparmë. Nuk e di pse ka ndodhur kjo, por di të them që përkthime si ky meritojnë ta kenë emrin e përkthyesit në kapak. Aq mirë është punuar në këtë libër, saqë është për të ardhur keq që nuk e shoh aty.

Shkrimi është normal dhe i lexueshëm, ndryshe nga shumë libra të tjerë që kanë shkrim të vogël sa të lodh. Do të doja që libra të tjerë të kishin shkrim më të madh, pra normal.

Regjistri i gjuhës
Përkthyesi ka vendosur të përdorë trajtën me “ti”. Më duket e përshtatshme, sepse biseda e autorit me një sipërmarrëse të re, që quhet Sara, zhvillohet në mjedise joformale, jo në zyrë dhe salla konferencash. Stili është tepër i rrjedhshëm. Fjalitë të tërheqin si me magnet, gjë që ndodh shumë rrallë me librat e biznesit dhe të psikologjisë.

Vura re shprehje të tipit “shkurt e shqip” dhe “O hallë” etj. Këto janë fjalë të vogla që i japin shijen tekstit ashtu siç i jep shije kripa gjellës.

Terminologjia
Vërej që kur ka terma si “kaizen”, përkthyesi ka vënë shënime për të shpjeguar se çfarë nënkuptojnë. Si lexuese kërkuese që jam, këto shpjegime më duken me shumë rëndësi, sepse ma heq mua barrën e kërkimit: i kam të gjitha në libër, strukturuar dhe shprehur qartë nga përkthyesi. Ai e ka bërë punën për mua, ndërsa mua më mbetet vetëm të shijoj tekstin dhe të përthith idetë e autorit.

Sintaksa
E përsëris edhe për këtë libër që, sikur ky libër të mos ishte përkthyer nga z. Buzi, nuk do të ishte ky që është. Kam lexuar me dhjetëra libra. Di çfarë them.

Fjalitë rrjedhin shqip, jo anglisht. Struktura e fjalive është shqip. Kur lexoj librin, më duket sikur po dëgjoj një intelektual shqiptar 60-vjeçar duke folur në kafene: flet shtruar, qetë, me maturi dhe shqip.

Kjo sepse punime të tilla duhen vlerësuar maksimalisht, që të mësojnë edhe përkthyesit e tjerë, madje edhe të vjetrit.

Ajo që vura re te ky libër, që nuk e kam parë në asnjë libër tjetër, është që emrat-shembuj janë përshtatur në gjuhën shqipe. P.sh. aty ka emra si Teuta, Arbeni, Iliri, Xhema etj. Këta emra e bëjnë tekstin më të ëmbël, më të shijshëm.

Ky ndryshim i vogël, ky guxim nga ana e përkthyesit, e bën këtë libër perlë më vete.

Do të kisha dashur të lexoja më shumë libra të këtillë. Ose të paktën emrat e njerëzve të përkthehen, sepse, përndryshe unë që nuk di anglisht, nuk kam si t’i lexoj saktë. Jam e sigurt që kështu mendojnë edhe shumica dërmuese e lexuesve që duan të lexojnë shqip, por që nuk po munden më, sepse shumë përkthyes, edhe të vjetrit, duket se po e prishin dorën.

Vihet re përkushtimi në çdo fjalë, për t’i dhënë lexuesit dhe lexueses kërkuese diçka që ai dhe ajo mund ta shijojë shqip, jo gjysmë-shqip e gjysmë-anglisht ose “shqiplish” siç kam filluar ta quaj.

Shënimet e përkthyesit
Edhe një herë, këto ma bëjnë mua si lexuese më të lehtë leximin dhe kuptimin e tekstit. Duket se z. Buzi ndjek të njëjtin stil në çdo libër të tij dhe ky stil është unik, i papërsëritshëm, ku theksi vihet te lexuesi dhe jo te “mbushja e faqeve me tekst”.

Shënimet të kursejnë kohën, prandaj janë kaq të vyera.


Si përfundim, mund të them se botuesi, “Pema”, ka bërë zgjedhjen e duhur duke ia besuar këtë libër mjeshtrit të përkthimit, Jonis Y. Buzi. Puna është e jashtëzakonshme, tepër e këndshme në lexim, jashtëzakonisht e saktë për nga terminologjia. Madhësia e shkrimit e bën të lehtë leximin. Dhuratë e përsosur për këdo, edhe për veten, edhe për miqtë dhe familjarët që punojnë në ndërmarrjen e tyre më shumë sesa punonjësit!

Ky libër duhet të lexohet edhe nga studentët, madje dhe nga pedagogët e përkthimit. Nëse doni të mësoni si përkthehet, shqyrtoni përkthimet e z. Buzi. Ai, edhe me këtë libër, ka vendosur një standard që është për t’u admiruar. Studentët e gjuhëve të huaja duhet ta studiojnë këtë libër për të mësuar si të përkthejnë, sidomos libra të zhanrit të biznesit dhe të vetëzhvillimit, ku edhe përkthyesit më të arrirë të letërsisë nuk janë aty ku duhet.

Kush ka dëshirë të shohë disa faqe nga brendia e librit, le të kërkojë në Google me fjalët: “Miti i sipërmarrjes, fjala e përkthyesit”. Del një video në “YouTube”, në komentet e së cilës jepet një link me disa faqe nga brendia.

[Shënimi im, JB: Këto faqe mund të gjenden këtu]




12.12.2024

Mjeshtëria - Robert Greene - fjala e përkthyesit

Të dhënat e librit:
Autori
: Robert Greene (Robert Grin)
Titulli në gjuhën burimore: Mastery
Titulli në gjuhën shqipe: Mjeshtëria
Numri i faqeve: 334
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-986-10-6, 9789951986106
Data e botimit: Nëntor 2024
Disa faqe: https://drive.google.com/file/d/14Ad1LEhwEbp7teDwO8650nhPdOiTWl2w/view
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=Wsjeaa_cz-4
Kritika dhe vlerësime: nuk ka
__________
Përshkrim i shkurtër

Kur mendojmë për Darvinin, Ajnshtajnin, Da Vinçin, Prustin etj., na shkon mendja të gjenia.

Dhe këtë e shohim si dhunti të lindur, diçka të paarritshme, mistike.

Autori, që është ekspert botëror i natyrës njerëzore, e shkul nga rrënjët këtë mit, këtë keqkuptim dhe sjell, nëpërmjet hulumtimeve të thella (ka lexuar mbi 300 libra dhe mijëra artikuj vetëm për të shkruar këtë libër), disa metoda dhe shtigje që do të ndihmojnë shumë e shumë njerëz që të arrijnë mjeshtërinë, formën më të lartë të pushtetit që mund të arrijë njeriu si qenie.

Mjeshtëria sot ka rëndësi të jashtëzakonshme. Mjeshtërit sot respektohen. Sillni ndërmend doktorin që i ka duart flori, ose këpucarin që i preku me dorë këpucët dhe ato nuk prishën për një kohë të gjatë, ose bletarin që nuk e pickon bleta dhe duket sikur flet gjuhën e tyre etj.

Mjeshtëria përbën majën e pushtetit, sepse të mundëson të jesh i rrallë në treg, por edhe i zhvilluar si qenie.
 
Këto aftësi mund t'i mësojnë të gjithë, por duhet të ndjekin disa shtigje. Autori i jep këto shtigje duke i ilustruar me shembuj konkretë nga jeta e shumë mjeshtërve, bashkëkohorë dhe të vjetër.

Është libri i përsosur për këdo që synon të bëhet mjeshtër në çfarëdo lloj fushe: art, shkencë, sport, letërsi, pikturë, kërcim etj.

Më konkretisht, Grini paraqet biografitë e njerëzve të ndryshëm nga Ajnshtajni e deri te Darvini dhe Leonardo Da Vinçi, për të na mësuar se cilat shtigje kanë ndjekur mjeshtrit më të mëdhenj të historisë, me qëllim që edhe ne ose të ecin në shtigjet e tyre, ose të frymëzohemi prej tyre për të krijuar tonat.

Këtë stil, Grini e ka ndjekur edhe në librat "48 ligjet e pushtetit", "Arti i joshjes", "33 strategjitë e luftës" dhe "Ligjet e natyrës njerëzore" (libri i fundit i përkthyer nga unë).

Disa nga çështjet që sqaron autori: Si të bëhem mjeshtër në fushën time?
  • A është gjenia e lindur apo e mësuar?
  • A mund të bëhem edhe unë Leonardo da Vinç i fushës sime? (po, por ka disa hapa dhe strategji)
  • Si të gjej profesionin e jetës?
  • Çfarë strategjish të përdor për të gjetur një mentor?
  • Çfarë rëndësie ka mentori dhe sa do të më ndihmojë?
  • Si të krijoj raporte të mira me mentorin, por edhe të mos bëhem vegël e tij?
  • Rëndësia e inteligjencës sociale
  • Këtu autori shqyrton rastet e Albert Ajnshtajnit, Moxartit, Shampolionit (përkthyesit të Gurit të Rosetës), Joki Macuokës (shpikëses së dorës robotike), Marie Kyrisë etj.
E mora përsipër këtë libër si shenjë falënderimi për mentorët prej të cilëve mësova dhe për nxënësit që më nxisin të mësoj më shumë.

__________
Aspekti i përkthimit

Emrat e njerëzve, edhe pse dalin të pashqipëruar në kapakun e pasmë, janë të shqipëruar në brendësi, ndërsa variantet e tyre në gjuhën burimore jepen në shtojcën në fund të librit (për ata që duan të lexojnë më shumë). Emrat në kapakun e librit nuk i kam vënë unë ashtu (sa për dijeni).

E përktheva këtë vepër për të shprehur mirënjohjen time ndaj njerëzve prej të cilëve kam mësuar, por edhe ndaj atyre të cilëve u kam mësuar diçka. Edhe këtë libër, si librat e tjerë, e kam përkthyer me shumë kujdes dhe dashuri, sepse ju meritoni më të mirën.

Që të mos përsëris veten në lidhje me tiparet e përkthimeve të mia, hap portofolin.

Shpresoj që puna që kam bërë këtu do t'ju ndihmojë të përqendroheni te kuptimi i fjalive dhe jo te deshifrimi i fjalive të pakuptimta që përkthyesit (madje edhe të vjetrit dhe me grada doktorature) kanë qejf të shkruajnë në shumë raste.

Përkushtimi dhe stili im janë të njëjtë si te "Ligjet e natyrës njerëzore". Shpresoj që me këtë libër, për sa i takon përkthimit, të frymëzoj brezin e ri të përkthyesve me qëllim që ata të bëhen mjeshtër edhe më të mëdhenj sesa unë.

Mos harroni të shkarkoni një pjesë të librit duke klikuar këtu.

Zgjidhi armiqtë me maturi - Patrick Bet-David - fjala e përkthyesit

Të dhënat e librit:
Autori
: Patrick Bet-David (Patrik Bet-David) dhe Greg Dinkin (Greg Dinkin)
Titulli në gjuhën burimore: Choose Your Enemies Wisely: Business Planning for the audiacious few
Titulli në gjuhën shqipe: Zgjidhi armiqtë me maturi: Planifikimi i biznesit për guximtarët e rrallë
Numri i faqeve: 340
Shtëpia botuese: KOLIQI
ISBN: 9789951814775, 978-9951-814-77-5
Data e botimit: Tetor 2024
Disa faqe: https://drive.google.com/file/d/1uhTII2iFU78AhSJfoTdp8jtCvVUiNDOH/view
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=NI4U6rP-CL4
Kritika dhe vlerësime: https://businessmag.al/zgjidhi-armiqte-me-maturi-kritike-perkthimi/
__________
Përshkrim i shkurtër

Në këtë libër ofrohet një gërshetim çudibërës midis emocioneve dhe logjikës. Emocionet janë karburanti, ndërsa logjika është motori. Njëra nuk bën dot pa tjetrën. Dhe kjo, sipas autorit, është arsyeja pse planet e biznesit sot nuk funksionojnë: kanë vetëm njërin element, jo të dy.

Por ku gjendet karburanti?

Tek armiqtë, jo te konkurrentët. Këta janë tjetër gjë. Armiku nuk ka pse të jetë njeri: mund të jetë edhe ideologji, dukuri, ves etj. "Armiku të çon andej nga nuk të çon miku."

Duke përdorur armiqtë si karburant dhe duke pasur një plan biznesi, lexuesi do të arrijë të mendojë më gjatë, të qartësojë vizionin dhe të arrijë gjëra më të mëdha falë ambicies.

Autori përmend fjalët "plan biznesi" që në titull, por libri duhet lexuar nga të gjithë, duke filluar nga prindërit dhe profesionistët e lirë e deri te klerikët fetarë, shkencëtarët dhe politikanët.

Libri është shkruar në gjuhë dinamike, është tërheqës, i rrjedhshëm, përfshirës dhe me shumë ide të zbatueshme.

Është pak i ashpër, sepse të nxit të hidhesh në veprim. Vetë autori është tepër ambicioz: nisi nga hiçi dhe arriti të bëhet një ndër pishtarët e lirisë së shprehjes në Amerikë.

Nuk është për këdo ky libër, por për guximtarët ose kokëkrisurit e rrallë, ata që duan të arrijnë gjëra të mëdha në jetë, të bëjnë namin dhe jo thjesht të ekzistojnë.

Njerëzit e suksesshëm kuptohen nga shpejtësia me të cilën i zbatojnë këshillat.

Të tjerët thjesht i dëgjojnë dhe ikin. Ose thjesht lexojnë këtë përshkrim dhe as që e shfletojnë.

Ti cili je nga këta?

__________
Aspekti i përkthimit

Stili i përkthimit është i njëjtë. E kam studiuar autorin për shumë vjet, prandaj arrita ta rikrijoj zërin e tij në gjuhën shqipe.

Shpesh përkthyesit i bëjnë veprat të rrjedhin njëlloj pavarësisht stilit të veçantë të secilit autor. Këtu do të vini re që gjuha është më dinamike sesa, p.sh., te libri "Ligjet e natyrës njerëzore" ose "Supertruri". Këtë e arrita duke e studiuar gjuhën dhe stilin e autorit.

Ajo që kam bërë këtu është që kam shqipëruar edhe emrat e ekipeve të sportit. Kam vënë shënime shpjeguese dhe një shtojcë në fund me termat e rinj dhe me shqiptimet e emrave të kompanive. Emrat e njerëzve janë shqipëruar, ashtu siç e kërkojnë rregullat e gjuhës sonë të veçantë që po përçudnohet dita-ditës.

Ky libër do t'u bëjë dobi të gjithë atyre që duan të arrijnë lartësi të reja në jetën personale dhe në atë profesioniale. Gjuha e thjeshtë, e qartë dhe përkthmi tepër dinjitoz (shih komentet për një kritikë përkthimi) do t'jua bëjnë leximin të këndshëm. Do të përqendroheni tek autori.

Falë shënimeve të përkthyesit, libri mund të kuptohet edhe nga njerëz që nuk e njohin terminologjinë e librave të këtij zharni, të cilin, deri më sot, vetëm unë kam arritur ta kuptoj si duhet (falë formimit tim akademik, dijeve enciklopedike, njohjes së thellë të gjuhëve dhe etikës së fortë profesionale për t'i dhuruar lexuesit sa më shumë vlerë për kohën dhe paratë që harxhon ai për këtë libër).

Falënderoj familjen që më mundësoi të kaloja më shumë kohë me këët libër sesa me të. Punova fort që të mos lë në baltë as autorin, por as botuesin dhe as ju që i besoni emrit tim.

Gjashtë substancat që ta ndryshojnë jetën - David JP Phillips - fjala e përkthyesit

Të dhënat e librit:
Autori
: David JP Phillips (David JP Filips)
Titulli në gjuhën burimore: High on Life: How to naturally harness the power of six key hormones and revolutionise yourself
Titulli në gjuhën shqipe: Gjashtë substancat që ta ndryshojnë jetën: Mëso si t'i krijosh vetë emocionet
Numri i faqeve: 285
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-846-28-8, 9789951846288
Data e botimit: Qershor 2024
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=RhXCqFqCRjc
Kritika dhe vlerësime: nuk ka
__________
Përshkrim i shkurtër

Në këtë libër trajtohet çështja e ndryshimit të humorit. Autori tregon disa teknika për të ndryshuar nivelin e gjashtë hormoneve (dopaminë, kortizol, serotoninë, testosteron, endorfina, oksitocinë).

Teza e autorit është që, nëse hormonet ndikojnë te sjelljet dhe emocionet tona, atëherë edhe ne mund të ndikojmë te prodhimi i tyre, duke ndikuar kështu tek emocionet tona. P.sh. nëse dikujt i duhet të bëjë ndonjë prezantim para publikut, por nuk ka guxim, atëherë rritja e nivelit të testosteronit do ta ndihmonte mjaft. Autori tregon si.

Emocionet luajnë rol të madh në jetën tonë, prandaj, po të dimë si t’i nxisim te vetja, do të arrijmë rezultate më të mira në jetë, në punë, madje edhe në raportet me të tjerët.

Njeriu ka shumë hormone, por këta janë gjashtë më kryesorët që kanë më shumë ndikim te trupi, por edhe që mund të ndikohen nga trupi. Kush zotëron emocionet, zotëron edhe veten.

Duke bërë veprime ose duke u futur në gjendje të ndryshme (vrapim, banjë me ujë të ngrohtë e të ftohtë, shikim i fotografive të njerëzve të dashur etj.), njeriu është në gjendje ta ndryshojë humorin (gjendjen emocionale) dhe të bëhet më i guximshëm, por edhe më i butë dhe më i dashur sipas rrethanave.

Nëse ua nxirrni inatin fëmijëve ose burrit/gruas, mësoni disa teknika si të mblidhni veten para se të kapërceni pragun e derës, sepse kështu do t'i bëni nder edhe vetes, edhe njerëzve të afërt.

Në libër jepen edhe receta të ndryshme për të ulur dhe ngritur nivelin e stresit.

Tema e neurokimikateve është e vështirë dhe e ngatërruar për nga vetë natyra e saj, por autori e ka përcjellë shumë qartë, me gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për këdo.

Libër tepër i veçantë në zhanrin e librave të zhvillimit personal. Shkruar bukur dhe këndshëm (kuptohet: përkthyer po aq këndshëm :) ).

__________
Aspekti i përkthimit

Kushdo që di anglisht mirë dhe lexon ndonjë libër të përkthyer pas viteve 2000 nga anglishtja, me shumë gjasë dëgjon një zëth të vogël që i flet në kokë. Dëgjimi i tij është shenjë që tregon se përkthimi është i dobët.

Duke qenë se e kam edhe vetë bezdi, kam bërë çmos që të ketë sa më pak fjali që e bëjnë atë zëth të flasë.

Librat e kësaj natyre (dhe ata të vetëzhvillimit në përgjithësi) kanë natyrë disi akademike, pra nuk kanë vend për letrarizma. Gjuha është e thjeshtë. Saktësia e termave ka rëndësi. Perifrazimi rrallëherë ka vend.

M'u desh ta studioja stilin e autorit, mënyrën se si shprehet ai, strukturën e fjalive dhe të paragrafëve etj., me qëllim që fryma e veprës të sillej sa më mirë edhe në gjuhën tonë (d.m.th. aq sa më lejojnë sytë dhe mendja). Për këtë liri veprimi dua të falënderoj botuesin që i ka besuar gjykimit tim profesional. Një liri e tillë, që është edhe përgjegjësi e madhe, më ka mundësuar ta ruaj më mirë frymën e veprës.

Me sa di unë, kjo liri është shpërblyer mirë, meqë lexuesit ma çmojnë punën, duke ditur që është vepër e imja dhe jo kimerë e sajuar nga ndërhyrjet tekanjoze të 25 vetave, pas të cilave nuk mbetet më as fryma e autorit, e lëre më ajo e përkthyesit, i cili reduktohet në ingranazh: prej tij nuk mbetet më asgjë autentike. Në këtë kuptim, çdo libër i ndryshuar e stërndryshuar, në fund, bëhet njëlloj si çdo libër tjetër i përkthyer: pa frymën e tekstit burimor, por i përshtatur sipas tekave të redaksisë së botuesit.

Por kjo nuk ka ndodhur as me këtë libër dhe as me libra të tjerë të përkthyer prej meje.

Edhe në këtë libër, lexuesit do të gjejnë shënime shpjeguese për terma që  nuk ekzistojnë ende në gjuhën shqipe ose janë të paqartë. Këto shpjegime i kam vënë për të mos e holluar terminologjinë. Ajo duhet të mbetet ashtu siç është dhe jo të përshtatet sipas filozofisë "Hë se lexuesit nuk kuptojnë dot" ose "S'më takon mua t'i tregoj lexuesit si t'i shqiptojë fjalët ose se çfarë nënkupton kjo fjalë".

Për shkak të qëndrimeve të tilla, që janë përhapur si virus, edhe lajmet  e televizoneve tona nuk i kupton dot po nuk dite anglisht e lëre më librat.

Qëndrime të tilla nuk bëjnë pjesë në teknikat e mia të përkthimit, pasi kam dëshirë të jap nga vetja sa më shumë që mundem, por brenda asaj që është e nevojshme.

Gjatë përkthimit, kam mbajtur parasysh lexuesit, nevojat e tyre dhe vështirësitë që mund të kenë gjatë leximit. Për këtë arsye, siç kam bërë në libra të tjerë, edhe në këtë libër kam vënë shënime shpjeguese dhe një shtojcë me emra të shqipëruar në fund. Këto elemente janë karakteristikë e përkthimeve të mia.

Shpresoj ta kem çuar në vend amanetin e autorit: ta bëj librin të dobishëm për sa më shumë njerëz. Këtë thotë edhe ai në hyrjen e librit.

Shpresoj edhe që t'ju kem zgjuar dëshirën për të lexuar shqip.

Për të parë fotografi nga brendia e librit, kërkoni në internet ose kërkojini shitësit t'ju nisë disa foto. Në internet do të gjeni edhe kapakun e pasmë. Nuk po i paraqes këtu, sepse nuk kam për qëllim shitjen e librave, por vënien në pah të aspektit të lënë pas dore, por të rëndësishëm, të përkthimit dhe edukimin e lexuesve.

Supertruri - Jim Kwik - fjala e përkthyesit

Të dhënat e librit:
Autori
: Jim Kwik (Xhim Kuik)
Titulli në gjuhën burimore: Limitless: Upgrade Your Brain, Learn Anything Faster, and Unlock Your Exceptional Life
Titulli në gjuhën shqipe: Supertruri: Çliro aftësitë mendore, mëso gjithçka më shpejt dhe bëj një jetë të mrekullueshme
Numri i faqeve: 420
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-846-22-6, 9789951846226
Data e botimit: Prill 2024
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=IIJfhGRQPW4
Kritika dhe vlerësime: nuk ka
__________
Përshkrim i shkurtër

Shumë libra përqendrohen te shëndeti i trupit, ndërsa ky tek ai i trurit.

Autori është trajner truri me famë botërore që shpesh i habit njerëzit me aftësinë për të mbajtur mend mbi 100 emra njerëzish njëherësh, pa u përgatitur më përpara.

Në këtë vepër, ai jep teknika për të përmirësuar kujtesën, për të rregulluar punën e trurit, për të pakësuar stresin, për të mësuar më lehtë gjuhët e huaja dhe, në përgjithësi, për të çliruar aftësi të ndryshme të trurit, por që njerëzit zakonisht i shohin si të paarritshme.

Është mirë të lexohet edhe nga studentët për të menaxhuar më mirë mënyrën se si përgatiten për provimet.

Ata që e kanë lexuar librin "Shprehi atomike" të Xhejms Klliërit (James Clear), do ta shijojnë këtë libër pa masë.

Libër i mirë për ata që duan të lexojnë në gjuhë të thjeshtë gjëra për neuroshkencën dhe për parimet e shëndetit të trurit. Pa tru të shëndetshëm, nuk ka rezultate as në punë dhe as në jetë.

Vetë leximi i këtij libri (dhe i librave në përgjithësi), edhe sikur të mos zbatoni asgjë, do t'ju bëjë mirë.

Truri meriton pak lexim. Pse të mos nisni tani?

__________
Aspekti i përkthimit

Suksesi në Shqipëri i librave të shumëshitur në botë varet shumë nga mënyra e përkthimit. Kam kohë që kam parë punime shumë të dobëta, madje deri aty sa ndërrohet kuptimi fare.

Kam punuar fort që lexuesit e këtij libri të mos zhgënjehen për nga saktësia e përcjelljes së mesazhit.

Ja çfarë kam bërë për t’ia dhënë hakun lexuesve, autorit, por edhe bashkëpunëtorëve, madje edhe shitësve të librave, që nuk denjojnë ta përmendin emrin e përkthyesit askund.
  1. Kam ruajtur termat nga njëra vepër në tjetrën. Kur autori citon një autor tjetër që është përkthyer në gjuhën shqipe më herët, unë, aq sa kam mundur, kam përdorur të njëjtat terma, edhe atëherë kur vetë nuk kam qenë dakord me mënyrën e përkthimit. Kjo është etikë profesionale që rrallë ndiqet në hapësirën shqiptare.
  2. Libri ka pjesë që nuk mund të përktheheshin. Në këtë rast, m’u desh të mbështetesha në aftësitë dhe përvojën time për të marrë rolin e autorit. Kjo vihet re në pjesët ku flitet për metodat e mësimit të gjuhëve të huaja.
  3. Libri ka plot lojëra fjalësh dhe terma. Këto i kam përshtatur, duke dhënë referencat përkatëse. Sa për termat dhe referencat kulturore, këto i kam shpjeguar me shënime në fund të faqes. Këto shënime janë pjesë e rëndësishme që e bëjnë librin të kuptueshëm edhe për lexuesin shqiptar, edhe pse autori përmend elemente kulturore që hasen në Amerikë.
  4. U jam referuar varianteve në gjuhën franceze dhe portugeze, për “një mendje tjetër”, siç i thonë fjalës, nga kolegët e huaj.
  5. Kam ruajtur sintaksën e shqipes, duke synuar që libri të ndihet sikur të jetë shkruar nga ndonjë autor shqiptar (ndonëse ka prej tyre që shkruajnë shqip sikur përkthejnë me “Google Translate”). Siç shprehet edhe gjuhëtari, shkrimtari dhe publicisti Mehmet Elezi, “sintaksa [...] po shkatërrohet me të njëjtin “përkushtim” si dhe fjalori”. Kjo e bën leximin më të këndshëm dhe më të rrjedhshëm, duke i mundësuar lexuesit të përqendrohet te përmbajtja dhe jo te gjimnastika mendore dhe ndërlikimet e panevojshme që hasen shpesh në libra të tjerë.
  6. I kam shqipëruar emrat e huaj, të cilët i kam nxjerrë në një shtojcë në fund të librit. Kjo për t’ua bërë më të lehtë lexuesve që t’i gjejnë. Kam shkruar edhe më tej nga sa më kërkohej:  kam vënë shenjat e theksit, me qëllim që të ketë shqiptim sa më të saktë. Kjo metodë i jep zgjidhje problemit të madh që kemi me emrat e huaj: a të lihen siç janë në gjuhën burimore apo t’i shkruajmë si shqiptohen?

Këto parime i kam ndjekur në të gjithë librat e tjerë, duke synuar ta mbroj gjuhën aq sa mund ta mbrojë një njeri i vetëm.

(Shih edhe portofolin.)

Si përkthyes, kam synuar që vetë vepra, vetë puna ime, të jetë frymëzim për sa më shumë njerëz që e çmojnë etikën e punës, profesionalizmin, përkushtimin dhe njëfarë doze talenti të kultivuar me shumë mund. Ndërsa për ata që i kanë këto cilësi, shpresoj që puna e bërë në këtë libër t’i motivojë të vazhdojnë në atë rrugë, ndonëse mbështetja dhe mirënjohja vështirë se ekzistojnë për ta.

Shënim: Nuk shes libra. Blerja e librit nuk krijon kurrfarë detyrimi në raport me mua. Tani për tani, nuk përmend dot ndonjë librari, meqë as ato nuk më kanë përmendur mua. Përkthimi zgjati me muaj të tërë dhe përbën një pjesëz dhe shprehje të qenies sime.

Mbetem me shpresë që puna që kam bërë të përligjë çdo sekondë dhe qindarkë të harxhuar prej lexuesve dhe lexueseve. Ju mbaj parasysh në çdo fjalë që përkthej.

Ligjet e natyrës njerëzore - Robert Greene - fjala e përkthyesit

Të dhënat e librit:
Autori: Robert Greene (Robert Grin)
Titulli në gjuhën burimore: The Laws of Human Nature
Titulli në gjuhën shqipe: Ligjet e natyrës njerëzore
Numri i faqeve: 598
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 978-9951-817-67-7, 9789951817677
Data e botimit: Qershor 2023
Disa faqe: nuk ka
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=x2RiavWVK0M
Kritika dhe vlerësime: Vijnë në shqip “Ligjet e natyrës njerëzore” të Robert Greene-it, përkthyesi: Libër që të përball me veten
__________
Përshkrim i shkurtër

Pse sillet vjehrra ashtu siç sillet? Pse na bezdisin edhe gjërat që nuk duhet të na bezdisin? Pse martohemi me njerëzit e gabuar? Si ka mundësi që njerëzit e këqij përparojnë kaq shumë në karrierë, por ata që janë kalë pune nuk arrijnë askund? Pse na dërrmon kaq shumë zilia?

Ky libër është, në gjykimin tim, mbreti i librave të zhvillimit personal. Ka 18 kapituj. Secili mund të lexohet pa qenë nevoja të lexosh të tjerët, pra zëreni se janë 18 libra në një.

Në këtë libër, Grini na ndihmon të njohim edhe veten, edhe tjetrin.

Libri është i gjatë, i ngjeshur me ide dhe duhet lexuar ngadalë për t'u përtypur mirë.

Është mirë të lexohet nga kushdo që synon të njohë veten dhe të arrijë nivel më të lartë të inteligjencës sociale (d.m.th. të aftësisë për të kuptuar të tjerët ashtu siç janë dhe jo siç do të donte të ishin). Kjo është e domosdoshme për ata dhe ato që kanë qejf të arrijnë gjëra të mëdha në jetë, të cilat nuk mund të arrihen pa bashkëpunuar me të tjerët.

Ata që nuk janë gati të njihen me veten, të mos e lexojnë, sepse mund t'i ngacmojë më shumë nga sa duhet.

"O njeri, njih veten" dhe "karakteri yt, o njeri, është fati yt" janë disa prej lajtmotiveve të këtij libri.

A jeni gati ta njihni veten?

__________
Aspekti i përkthimit

M’u desh rreth një vit kohë për ta përkthyer, verifikuar dhe rishikuar me bashkëpunëtorët e shtëpisë botuese. Libri ka rreth 308 000 fjalë dhe 18 kapituj.

Për t’i sjellë lexuesit një libër të denjë që do të qarkullojë për shumë vjet, pa qenë nevoja për t’u ripërkthyer, u mbështeta në variantet në gjuhën franceze, rumune, portugeze dhe spanjolle. Këto më ndihmuan për të kuptuar sa më shumë tekstin, meqë komunikimi me autorin ka qenë i pamundur.

Jam mbështetur në fjalorë të ndryshëm, dygjuhësh dhe njëgjuhësh.

Ka të paktën dy elemente që duhen drejtpeshuar si duhet në çdo përkthim: stili (rrjedhshmëria) dhe saktësia terminologjike.

Për t’i ardhur në ndihmë lexuesit që mund të mos i kuptojë të termat e fushave të ndryshme që përmenden në libër, kam vënë shënime shpjeguese në fund të faqes.

Kam synuar që vepra të rrjedhë sa më shqip. Kam shmangur sa kam mundur përdorimin e “një”-së (p.sh. “ai është një artist”) dhe në vend të saj kam përdorur të pashquarën (p.sh. “ai është artist”, dihet që “një” është, s’është dy).

Aty ku ka pasur lojëra fjalësh në variantin origjinal, këto i kam përshtatur në gjuhën tonë, duke përmbysur gjithë fjalitë në disa raste, vetëm që të mos humbte kuptimi dhe natyrshmëria.

Sot, rreth një vit pas daljes së librit, vërej me kënaqësi që është pritur shumë mirë, gjë që më nxit të punoj edhe më fort në libra të tjerë.

Në fund të librit, lexuesit do të gjejnë një shtojcë me emrat e shqipëruar. Shtojca e zgjidh një problem që nuk duhet të jetë fare problem: çështja e shqipërimit apo jo të emrave të huaj. Emrat i kam shqipëruar që t’ua bëj të lehtë lexuesve, por variantet e tyre në gjuhën burimore (anglisht ose tjetër) i kam vënë përbri në fund, në formën e një fjalorthi, pasi kështu ata dhe ato që janë të interesuar mund të mësojnë më shumë rreth personave në fjalë.

Lënia e emrave të huaj në gjuhën shqipe ashtu siç shkruhen në gjuhën e huaj përbën njërin prej shkatërrimeve më të mëdha të gjuhës për shumë arsye, ngaqë cenon vetë parimin “një tingull – një shkronjë”.

Jam përpjekur të respektoj traditën e përkthimit, duke shqipëruar emrat për të cilët ka shqipërim (si p.sh. “Simón”, dhe jo “Sajmën” ose “Joshua”, dhe jo “Xhoshua”). Për emra të tjerë, kam gjetur diçka të ndërmjetme. Dihet që shqiptimet e emrave ndryshojnë edhe sipas varianteve të anglishtes (britanike ose amerikane) dhe origjinës (në Amerikë banojnë njerëz nga të gjitha kombësitë), prandaj është e pamundur të jepen shqiptime të gjithëpranuara. Për këtë arsye, transkriptimi këtu është i përafërt dhe nuk synon kurrsesi të zëvendësojë shqiptimin e saktë në gjuhët origjinale. Po ashtu, ka emra që mund të shqiptohen më saktë në shqipe sesa në anglishte (si p.sh. Nguyen, mbiemër vietnamez). Emrat i kam pajisur me shenjat e theksit për lehtësi shqiptimi, por theksi mund të ndryshojë gjatë lakimit (p.sh. “Ánderson” bëhet “Andersónin”).

Ka të paktën tri arsye pse i kam shqipëruar emrat e njerëzve. Së pari, sepse shqipja është gjuhë fonetike: si shkruhet, ashtu shqiptohet. Së dyti, shqipërimi i emrave ndihmon me lakimin, që është karakteristikë e shqipes, por që, për shkaqe që nuk kam vend t’i trajtoj këtu, po përçudnohet në çdo anë. Së treti, për mua ka rëndësi të madhe që lexuesi që nuk e njeh gjuhën burimore të emrit ta shijojë leximin dhe jo t’i duket barrë e rëndë.

Lënia e emrave në gjuhën burimore e pengon shumë leximin. Ja disa shembuj: “Yanjaa”, “Altucher”, “Hough”, “Leigh”, “Colquhoun” dhe “Hsieh” (këta emra përmenden në librin “Supertruri” të Xhim Kuikut [Jim Kwik]). Falë shqipërimit ose transliterimit, lexuesit nuk kanë nevojë të bëjnë gjimnastikë mendore të pafrytshme për të hamendësuar se si shqiptohen emrat e huaj. Kur shkruajmë shqip, le të shkruajmë shqip.

Në fund, ky libër ishte sfidë që pranova me shumë kënaqësi, edhe pse çmimi që pagova ishte se kalova më pak kohë me njerëzit e dashur. Por në çdo fjalë kam menduar për lexuesit.

Nëse kam bërë punë të mirë apo jo, këtë le ta gjykojë lexuesi i kualifikuar. Sa për mua, unë di vetëm që bëra sa munda, si njeri që jam, që autori të flasë shqip dhe saktë njëlloj sikur të ishte studiues vendas.

Miti i sipërmarrjes - Michael E. Gerber - fjala e përkthyesit

Të dhënat e librit:
Autori: Michael E. Gerber (Majkëll E. Gërbër)
Titulli në gjuhën burimore: The E-Myth Revisited: Why Most Small Businesses Don't Work and What to Do About It
Titulli në gjuhën shqipe: Miti i sipërmarrjes: Pse falimentojnë kaq shumë ndërmarrje të vogla dhe çfarë të bëjnë për t'ia dalë mbanë
Numri i faqeve: 298
Shtëpia botuese: PEMA
ISBN: 9789951846097, 978-9951-846-09-7
Data e botimit: Nëntor 2023
Disa faqe: https://drive.google.com/file/d/1bn-AQ4VNCtcbpOT5qOYl4kT88w24M9ic/view
Fjala e përkthyesit: https://www.youtube.com/watch?v=ATzBGVW9GD4
Kritika dhe vlerësime:
__________

Përshkrim i shkurtër

Këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë ata që kanë lënë punën diku për të hapur ndërmarrje më vete, por që, në fund, ose falimentojnë fare, ose mezi mbajnë hundën mbi ujë që të mos mbyten.

Ke biznesin tënd, ama punon si skllav. Më mirë jetojnë punonjësit e tu se sa ti.

Lexoje këtë libër (dhe, mbi të gjitha, mëso prej tij) nëse je në këtë gjendje.

Libri duhet lexuar patjetër nga çdo profesionist i lirë: berber, jurist, elektricist, mekanik, pronar biznesi, mësues, përkthyes etj. Kushdo që ka dyqan, restorant, mensë, qebaptore etj., ka mundësinë të gjejë ide të shkëlqyera, të cilat, po t'i vërë në zbatim, do ta ndihmojnë për t'u bërë "McDonalds"-i (shqipto: mekdonalds) shqiptar.

Pasuri e madhe, sukses i madh dhe më shumë liri për veten. Sepse jeta është e brishtë.

Ata që e kanë lexuar janë penduar vetëm për një gjë: që nuk e kanë lexuar më përpara.

A do të ishte keq sikur të hapnit një biznes të suksesshëm dhe të siguronit jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj pa u sfilitur kaq shumë?

__________
Aspekti i përkthimit

Libri që DUHET të lexojë çdo profesionist i lirë dhe pronar biznesi.

Në nëntor të vitit 2023, pata kënaqësinë të sjell në gjuhën shqipe librin legjendar dhe të shumëshitur, “Miti i sipërmarrjes”, të autorit Majkëll E. Gërbër (Michael E. Gerber). Për sa i takon përmbajtjes, mund të thuhet se kushdo që ka ndërmend të ketë një biznes të vogël do të gjejë në libër ide të çmuara. Se sa rezultat jep libri, kjo varet nga shkalla e zbatimit të këtyre ideve.

Për nga aspekti gjuhësor, kam bërë atë që bëj zakonisht në përkthimet e mia:
  • kam vënë shënime shpjeguese aty ku ka qenë e nevojshme për t’i mundësuar lexuesit të thellohet më shumë;
  • kam shqipëruar emrat e huaj me qëllim që lexuesit të përqendrohen te kuptimi i librit dhe jo të bëjnë gjimnastikë mendore që të gjejnë se si shqiptohen saktë emrat e huaj: këtë barrë e kam marrë unë mbi supe
  • kam përdorur regjistrin informal (“ti” dhe jo “ju”) për ta bërë leximin më miqësor, më të afërt.

U mbështeta në variantin frëngjisht dhe rumanisht, për të qëmtuar (mbledhur një nga një) gjetjet më të mira të kolegëve të huaj dhe për t'i sjellë këto në shqipe. Si rregull, emrat e kompanive, sidomos në përkthime ligjore, nuk përkthehen. Megjithatë, qëllimi im në këtë libër ka qenë që, nëpërmjet shqipërimit të emrave, ta frymëzoj lexuesin, sado pak, që të gjejë një emër të ngjashëm për ndërmarrjen e tij a të saj. Një emër që mbahet mend. Një emër që u kujton klientëve gjëra të caktuara.

Për disa prej kompanive, që kam menduar se nuk njihen sa duhet në botën shqiptare, kam dhënë shpjegime të shkurtra sa për të krijuar një ide të përgjithshme.

Emrat e njerëzve (p.sh. David) i kam shqipëruar duke pasur parasysh traditën e përkthimit. Duhet shënuar që theksi i emrit mund të ndryshojë në rast lakimi, p.sh. “Uótërman” (Waterman) do të bëhej “Uotërmáni”, “Lévit” do të bëhej “Levíti” etj. Por “Uátson” do të mbetej “Uátsoni” etj.

Ndonëse nuk ka rregulla të ngulitura në lidhje me mënyrën se si duhen shqipëruar emrat e të huajve, shqipërimi i tyre në këtë libër shërben kryesisht për ta bërë tekstin më të rrjedhshëm, duke mundësuar lakimin, një prej veçorive të gjuhës sonë që është nën sulm të përditshëm të atyre që “dinë shumë”.

Lënia e emrave në gjuhën angleze (siç ndodh rëndom sot) do të binte ndesh me vetë qëllimin e përkthimit: mënjanimin e nevojës së lexuesit për ta lexuar veprën në gjuhën origjinale. Ma merr mendja se dikush që di të lexojë emra si “Saoirse” me gjasë do ta fliste anglishten aq mirë, saqë do ta lexonte librin në gjuhën origjinale, edhe pse studimet kanë treguar se leximi në gjuhën amtare është më i dobishëm (sidomos kur përkthimi është i mirë).

Këtu, me fare pak përjashtime, emrat-shembuj i kam ndërruar me emra të zakonshëm shqiptarë dhe kosovarë, sidomos në kapitullin 14, p.sh. Gjergj, Arben, Ilir etj. Kjo shmangie është bërë për ta bërë veprën që të flasë me zemrën e lexuesit shqiptar, jo me mendjen (në atë rast do të duhej t'i kisha lënë emrat si në origjinal).

Me sa di, jam ndoshta i vetmi që e kam përdorur këtë teknikë me kaq shumë sukses. Emrat i kam zgjedhur në mënyrë të tillë që të paraqesin edhe idenë e moshës. P.sh. një grua që quhet Teuta ka të ngjarë të jetë më e madhe në moshë sesa një grua që quhet Sara. Emri në origjinal ka qenë "Elisabeth". 

E kam përshtatur në "Teutë" për shkak se emri "Elisabeth" është emër mbretëreshe, por i tillë është edhe emri "Teutë". Mbetem me shpresë se energjia, koha dhe puna që kam shkrirë në këtë përkthim (së bashku me bashkëpunëtorët) të përligjin çdo sekondë dhe çdo qindarkë që shpenzojnë lexuesit dhe lexueset.

Çdo fjalë e kam përkthyer duke ju mbajtur parasysh ("A rrjedh natyrshëm kjo fjali?" "A është e saktë kjo fjalë?" etj.)

12.11.2024

Për çfarë shërben "Manuali i Jonisit për përkthimin"?

Ky bllog i kushtohet përkthimit, problemeve të përkthimit dhe çështjeve të ndërlidhura me të.


Shpresoj që puna që po bëj këtu:

  • të frymëzojë brezin e ri të përkthyesve;
  • t'i bëjë njerëzit më të vetëdijshëm për rëndësinë e gjuhës, përkthimit dhe të rolit të përkthyesit;
  • t'i edukojë njerëzit në përgjithësi për t'i zgjedhur librat e përkthyer jo nga emri i autorit, por nga ai i përkthyesit;
  • të tregoj duke qenë vetë shembull se çfarë do të thotë të arrish nivelin e mjeshtërisë;
  • të frymëzojë çdo profesionist (ose usta) tjetër që ta shpërndajë dijen që ka: kam mësuar më shumë duke shpërndarë dijen, sesa duke i mbajtur për vete nga frika se mos më pakësohen.

Postime të spikatura